Autostrada në drejtim të Gjilanit nis më 2017

Autostrada në drejtim të Gjilanit nis më 2017

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha sot para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik se ndërtimi i autostradës në drejtim të Gjilanit do të nisë më 2017, ndërsa për rrugët Prishtinë –Pejë e Prishtinë Mitrovicë u tha se janë kthyer në histori.

Mjaft projekte të mëdha infrastrukturore janë paraparë për vitin e ardhshëm në Kosovë, mirëpo mbetet sfidë financimi i tyre nga buxheti i shtetit. Ministria e Infrastrukturës është duke shikuar mundësitë e financimit të projekteve kapitale nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim Evropian dhe institucionet të tjera financiare ndërkombëtare.

Ajo çka po i kushton shumë dhe po i vonon projektet komunale është ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup.

Kështu bëri të ditur ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik lidhur me zhvillimet në realizimin e prioriteteve në aspektin buxhetor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, tha se ngecjet për ndërtimin e rrugëve Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë tashmë janë bërë thuajse histori.

Ai ka kërkuar sqarime për vonesat e realizimit të këtyre punimeve të cilat janë bërë shumë vjeçare.

“Në dalje prej Pejës në drejtim të Prishtinës në Zahaq kanë qenë të kontraktuara tri llote për zgjerim të rrugës, mirëpo nuk po lëvizur asgjë për ndërtimin e saj. Më intereson ta di nga ministri se çka është duke ndodhur në atë segment”, theksoi Beqaj.

Ministri Zharku iu përgjigj deputetit Beqaj, duke thënë se për këtë problem janë të ndërlidhur disa faktorë. Ai një pjesë të fajit e ka gjuajtur te kompanitë dhe problemet pronësore.

Zharku tha se janë edhe në proces gjyqësor për sa i përket disa pronave përgjatë asaj rruge.

Për Ngecjet në rrugën Prishtinë-Pejë, tha se “kemi ngecje pak objektive nga ana e jonë, por natyrisht ka pak edhe disa subjektive nga ana e kontraktorëve”.

“Nëse flasim për Gjurgjicë-Kijevë shumica e ngecjeve kanë të bëjnë edhe me problemet që i kanë pasur kompanitë, por kanë të bëjnë edhe me probleme pronësore që i kemi pasur. Është dashur të merremi më shumë probleme pronësore. Natyrisht se projektet tona nuk janë edhe në nivelin e duhur, kështu që të gjitha janë grumbulluar”, theksoi Zharku.

Kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa ka vlerësuar lart prioritetet e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës në Kosovë. Mirëpo ai ka pasur kritika për infrastrukturën që lidh vendin me Shqipërinë, posaçërisht për hekurudhën Milot-Prizren.

Mustafa theksoi se nuk duhet të krenohemi vetëm me Autostradën e Kombit.

“Nëse nuk kemi një gatishmëri që ne të hyjmë në projekte të tilla, atëherë do të mbetemi që të përbehemi vetëm në Rrugën e Kombit, e cila ka ndodhur, por mbledhjet e përbashkëta të qeverive do të jenë të mira për televizion, por efektet në jetën reale të njerëzve dhe faktorizimin e këtij rajoni të dy shteteve tona në drejtimet globale të transportit mbeten në gjysmë të rrugës”, theksoi Mustafa.

Ministri Zharku u përgjigj se ekziston gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për infrastrukturën hekurudhore me Shqipërinë, por këto projekte nuk janë shtyrë nga autoritetet e Shqipërisë, pasi mbetet një kosto mjaft e lartë për Shqipërinë.

“Kosova dhe unë në emër të Qeverisë kemi shprehur gatishmërinë tonë për ndërtimin hekurudhës. Megjithatë kostoja e madha buxhetore mbetet një çështje e patejkalueshme për qeverinë shqiptare. Në anën e Shqipërisë kemi 118 km, në anën tonë kemi vetëm 17 km. Shqipërisë i nevojitet një investim prej 800 milionë deri një miliardë euro”, tha Zharku.

Gjatë raportimit në Komision, ministri ka paralajmëruar se autostrada e Gjilanit do të fillojë të ndërtohet deri në vitin 2017. Sa i përket zgjerimit të rrugës për Podujevë, Zharku tha se beson se projekti për zgjerimin e rrugës do të kryhet në janar të vit të ardhshëm dhe punimet për segmentin e parë të fillojnë më 2016. Mirëpo punët që do të kryhen në këtë segment do të varen edhe nga Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, dhe vazhdimi i saj deri në Merdare.

Ministri i Infrastrukturës tha se sa i përket kësaj autostrade aktualisht BERZH do të përgatisë studimin e fizibilitetit dhe do të jepen propozime për mënyrën e financimit dhe kategorinë e rrugës, se a do të jetë autostradë apo e nivelit më të ulët. /GazetaExpress/