Nis ndërtimi i rrugës me 4 korsi, Gjilan – Bujanoc

Ka nisur sot ndërtimi i rrugës me katër korsi Gjilan-Bujanoc, projekt ky, i cili, implementohet me finacim qind për qind të Komunës së Gjilanit. Hapjen zyrtare të këtij projekti të hyrje-daljes Gjilan-Bujanoc e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, i cili ka thënë se Gjilani duhet të kapërcej nga kjo infrastrukturë që e ka aktualisht, në një infrastrukturë moderne.

“Kjo ditë shënon hapjen e rrugës më të madhe Gjilan-Bujanoc me investim qind për qind nga Komuna. Prej sot ne fillojmë lirimin e trotuareve, si dhe largimin e të gjitha reklamave e mureve, shtyllave të ndriçimit, rrejtit mbrojtës të FSK-së dhe të “Don Boskos”. Unë i falënderoj të gjithë për bashkëpunim sepse Gjilani duhet të kapërcej nga kjo infrastrukturë që e ka aktualisht në një infrastrukturë moderne dhe të qarkullueshme me mundësi të hapjes së korridoreve”, ka thënën Haziri të martën.

I pari i gjilanasve ka kërkuar nga operatorët privat që të mos e pengojnë punëkryesin në realizimin e planit dinamik, ndërkaq ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm do të nis edhe ndërtimi i hyrje-daljes Gjilan-Prishtinë si dhe Gjilan-Ferizaj.

Punëkryes është kompania “Zuka” nga Gjilani, pronari i së cilës Muhadin Zuka është zotuar se punët do të kryhen sipas planit dinamik për 90 ditë pune.

Ndërtimi i kësaj rruge e cila nis nga kazerma e FSK-së ka gjatësi prej 1260 metra, me gjerësi 27 metra dhe do të ketë brez të gjelbërimit, ndriçim dhe të gjitha kërkesat tjera urbane. Vlera e projektit kap shifrën e afro 900 mijë eurosh. /2lonline/

Mejdi
Author: Mejdi