Si u vodhën 24 mijë euro nga këmbimorja në Shillovë të Gjilanit? (Video)

Si u vodhën 24 mijë euro nga këmbimorja në Shillovë të Gjilanit? (Video)

Zllata Milenkoviqi nga Shillova e Gjilanit, ende është e shqetësuar nga ngjarja që i ndodhi në këmbimoren e saj.

Rreth orës 16 të së martës, dy persona të pa njohur i hynë në lokal dhe i kërkuan të hollat. Njëri prej tyre ishte edhe i armatosur.

“Kam pasur kokën ulur dhe kam qenë duke shkruar punën e pazarit. Papritmas vije një person këtu afër meje dhe më tha: Paratë. Mos gabo të lëvizësh se do të ju vras të dyjave. Unë e shikoja dhe mendoja se nuk është reale, dhe sa ktheva kokën në anën tjetër, e pashë atë tjetrin me pushkë në dorë. Së pari ma morën telefonin e më pas paratë”, ka thënë Zlalta Milenkoviqi, pronare e këmbimores Oil Plus.

Ajo thotë se plaçkitësit i morën rreth 24 mijë euro. Të gjitha këto para asaj i ishin grumbulluar pasi që kishte 4 ditë pa i marrë ato për ti dërguar në bankë.

Edhe pse njëri nga hajdutët nuk kishte maskë, ajo nuk arriti ta identifikojë.

Policia rajonale e Gjilanit të cilët kishin reaguar me urgjencë, thanë se për ta zbardhur këtë grabitje të armatosur është duke punuar i gjithë sistemi.

Familja Milenkoviq, në pronësinë e të cilëve është edhe televizion lokal Puls, tregojnë se kjo ishte hera e tretë që persona të panjohur i kanë grabitur. /express/